Lajme Shqip Thursday, 10 September 2015 08:01

Shqiptarët e Luginës së Preshevës zotohen të mos zmbrapsen në përpjekjen e tyre që këtë të shtunë të nisin themelimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare në Serbi.

Kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa ka thënë në Interaktiv në KTV se ata kanë informuar Kosovën, Shqipërinë dhe bashkësinë ndërkombëtare, por jo Serbinë.

“Me Beogradin nuk jemi konsultuar, sepse e dimë qëndrimin e tyre. Ne jemi në kontakt më Qeverinë e Republikës së Kosovës, asaj të Shqipërisë dhe me bashkësinë ndërkombëtare. Përkrahja e tyre do ta vë Beogradin në atë pozitë, që duhet ta pranojë këtë hap tonin”, ka thënë Mustafa.

Ai pohoi se Prishtina duhet të kushtëzojë funksionimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë me lejimin e funksionimit të Asociacionit të Komunave Shqiptare në Serbi, përcjell koha.net. Sipas Mustafës, ky është hapi i parë drejt arritjes së qëllimit të shqiptarëve të Luginës për t’u shkëputur nga Serbia dhe për t’iu rikthyer Kosovës.