Lajme Shqip Wednesday, 28 October 2015 16:59

Kryeministri Isa Mustafa, zëvendësi i tij i parë Hashim Thaçi dhe ministri i Integrimit Bekim Çollaku, në një konferencë për media kanë vlerësuar se nënshkrimi i MSA-së është një hap shumë i rëndësishëm i Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit e quajti si ditën më të rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Ai tha se kjo marrëveshje hap perspektivat integruse për vendin, rruge kjo që, siç thekson Mustafa, nuk ka kthim, raporton lajmi.net.

Ai këto komente i bëri në konferencën për media që po mbahet sot, ku të pranishëm ishin edhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, së bashku me ministrin për Integrime Evropiane Bekim Çollaku.

“MSA shënon një thelb të fuqishëm të europianizimit të shtetit tonë. Është nder për mua që së bashku me ministrin Çollaku në emër të Kosovës kemi nënshkruar këtë marrëveshje”, tha Mustafa.

Ndërsa ka kërkuar nga opozita që të jetë në Kuvend për ratifikimin e MSA-së kur ajo të dërgohet, pasi siç vlerëson kryeministri Mustafa, kjo është në interes të të gjithëve.

MSA, sipas Mustafës  ka efekte pozitive shume dimensionale per Kosovën e poashtu edhe ekonomike e politike.

Kurse, ministri i Punëve të Jashtme Hashim Thaçi pranoi se kjo marrëveshje është hapi krucial i Kosovës drejt integrimit dhe se kjo marrëveshje është dëshmi e mbështetjes se BE

“Me këtë marrëveshje jemi barazuar me shtetet e rajonit në rrugën e integrimeve evropiane. Kjo marrëveshje hap rrugë edhe për hapa të tjerë për aplikim në organizata tjera si Interpol, Këshillin e Europes dhe prioritetin e institucioneve liberalizimin e vizave”, shtoi Thaçi.

Ndërkaq ministri i Integrimeve Evorpiane, Bekim Çollaku, tha se me nënshkrimin e MSA-së është përmbushur njëri prej dy objektivave kryesore të ministrisë që ai udhëheq.

“Që kur kemi marrë këtë mandat kemi pasur dy objektiva, MSA-në që e nënshkruam dje dhe liberalizimin e vizave, i cili do të ndodhë shumë shpejt”, tha Çollaku.

Çollaku tha se institucionet e Kosovës presin që “këtë vit të marrin rekomandimin për liberalizimin e vizave”, duke shtuar se ai është i bindur që qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza në vitin 2016.