Lajme Shqip Thursday, 22 October 2015 08:10

Përplasja e madhe mes pozitës dhe opozitës potencialisht mund të ndodhë pasditen e së premtes në Kuvendin e Kosovës.

Përveç deputetëve nga pozita dhe opozita, të cilët vetëm sa s’ishin përplasur fizikisht në dy seancat e kaluara, gazeta merr vesh se tani në sallë do të jenë edhe kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendësi i tij, Hashim Thaçi, shkruan sot Koha Ditore.

“Është vendim i përbashkët që Thaçi dhe Mustafa të jenë prezentë në sallë në mënyrë që edhe ata të marrin përgjegjësi shtetërore. Krerët janë dakorduar për ditën dhe pjesëmarrjen e të gjithëve në seancë dhe kjo është bërë me sugjerimin e ndërkombëtarëve”, ka thënë burimi i gazetës.

Nga Qeveria nuk kanë qenë në gjendje ta konfirmojnë nëse kryeministri do të jetë prezent në sallë.

“Të premten kryeministri është në Kosovë, tek në mëngjesin e së premtes mund ta konfirmojë”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Arban Abrashi.

Gazeta merr vesh se një nga arsyet pse seanca është caktuar në ora 16:00, është “kthimi i Thaçit nga Parisi”.