Lajme Shqip Sunday, 25 October 2015 14:20

Në një ceremoni, ku morën pjesë edhe krerët më të lartë të shtetit, është përuruar segmenti i parë i autostradës “Arbën Xhaferi”.

Autostrada lidh Prishtinën me Shkupin, duke shkurtuar ndjeshëm distancat mes dy kryeqyteteve. Në ceremoni kanë marrë fjalën edhe udhëheqës shtetërorë.

Kryeministri Isa Mustafa është shprehur se “ky është udhëkryqi më i madh në rajon, për të cilin janë bërë punë cilësore, që qeverisë së Kosovës i kanë kushtuar 600 milionë euro”, raporton Tch.

“Investime të tilla do të vazhdojnë edhe në lidhje me Mitrovicën, sikurse do të prekin edhe linjën hekurudhore”, ka thënë Mustafa.

I pranishëm në këtë ceremoni, kreu i Kuvendit Kadri Veseli është shprehur ndër të tjera se, “Kuvendi do të vazhdojë me përgjegjësitë e veta për qytetarët”. Ndërkohë, ai ka falënderuar ambasadorët e huaj të akredituar në Prishtinë, të cilëve “u jemi përjetë mirënjohës për kontributin në ndërtimin e shtetit ligjor dhe ekonomik”.

“Zotohemi se Republika e Kosovës është një investim i përbashkët dhe do të përmbushim të gjitha detyrat tona. Kosova – sipas tij, – do të jetë sinonim i shtetit ligjor dhe kurrë nuk do të bëhet vatër e krimit të organizuar apo anarkisë”, ka thënë Veseli.

Përveç një njoftimi në Facebook nga zv/kryeministri Thaçi një ditë më parë, askush prej udhëheqësve pjesëmarrës nuk ka dërguar lajmërim se do të merrte pjesë në këtë ceremoni; as zyra për shtyp e kryeministrit të vendit, e cila në përditshmëri lajmëron agjendën e kreut të qeverisë për mediat.