|
|
e Mërkurë, 25 Korrik 2012 16:48 Prishtinë – Kryeprokurori i Prokurorisë së Qarkut në Mitrovicë, Shyqyri Syla, udhëheqës në hetimet për vrasjen e policit kosovar Enver Zymberi, thotë se për ketë rast ende janë duke vazhduar hetimet.
Enver Zymberi nga Dubovci i Vushtrrisë, pjesëtar i Policisë së Kosovës, u vra si pasojë e plagëve të marra, në kuadër të aksionit të ndërmarrë nga forcat e rendit një vit më parë, për të rivendosur kontrollin në vendkalimet kufitare me Serbinë, në veri të Kosovës.
Zymberi ishte pjesëtar i njësiteve speciale ROSU që nga viti 2000. Syla tha për “Radio Evropa e Lirë” se një pengesë në zhvillimin e hetimeve paraqet mungesa e lirisë së lëvizjes në pjesën veriore të Mitrovicës. Ai ka thënë se në kuptim të kapjes se autorëve të vrasjes, ende nuk ka diçka konkrete.
“Janë identifikuar si të implikuar gjashtë persona për të cilët është lëshuar edhe një fletarrest ndërkombëtar. Janë edhe dy persona që dyshohen për ndihmë pas kryerjes së veprës penale”.
“Sigurisht e dini që dy kanë qenë të arrestuar, njeri ka qenë gabimisht dhe është liruar nga gjyqtari i EULEX-it, dhe tjetrit i është ndërruar masa e paraburgimit, por është nën hetime. Provat janë grumbulluar deri diku relativisht mirë, mirëpo pengesa paraqesin vështirësitë e lëvizjes në veri të prokurorëve dhe të policisë së EULEX-it”, tha Syla.
Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, aktualisht drejtor për Planifikim Strategjik dhe çështje ligjore në Policinë e Kosovës, thotë se në veri të Kosovës gjendja para 25 korrikut ka qenë me e pranueshme se që është sot.
“Tani atje i kemi vetëm dy policë, të cilët dërgohen me helikopter, kurse deri me 25 korrik ata kanë shfrytëzuar rrugët tokësore, kanë shkuar me makina dhe askush nuk i ka penguar”, tha ai. “Veç kësaj, unë nuk kam vërejtur se është arritur diçka që ne dëshmojmë dhe shohim sovranitetin e plotë atje – ndalimi i kontrabandës dhe mbyllja e kalimeve ilegale – sepse serbët andej kanë hapur edhe shumë rrugë të tjera”, tha ai.
Maliqi mendon se kjo gjendje në veri të Kosovës duhet të jetë mesazh për bashkësinë ndërkombëtare që të ndërmerren hapa për ndryshimin e gjendjes, duke nisur me shuarjen e strukturave ilegale. (LajmeShqip.com)