Lajme Shqip Wednesday, 26 March 2014 13:50

Deputeti Fatmir Limaj dhe katër të tjerë kanë dalë sërish sot në para gjykatësve, të akuzuar për veprën penale të korrupsionit. Ish-ministri Limaj ka hedhur poshtë akuzat, duke deklaruar se ndaj tij nuk është gjetur asnjë provë konkrete për pretendimet se gjatë kohës që ai ishte në krye të Ministrisë së Transportit, Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës, ai i ka shkaktuar buxhetit të Kosovës një dëm të madh.

 
“Prokurori nuk ka arritur të paraqes asnjë provë për pretendimet e tij, as për vlerën që i është shkaktuar buxhetit të Kosovës. Pretendimet e tij (Prokurori i EULEX) bazohen në paragjykime, gjëra abstrakte dhe spekulime”, ka thënë Limaj.
 
PROKURORIA, LIMAJ DHE TË  TJERËT GRUP KRIMINAL
Ish-ministri Fatmir Limaj, Nexhat Krasniqi, ish-shef i Prokurimit në Ministrinë e Transportit, Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës (e ndryshuar) dhe shef aktual në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Shpëtim Telaku truprojë i Limajt, janë cilësuar nga Prokuroria si anëtarë të një grupi kriminal të organizuar që ka vepruar nga viti 2008 deri në 2012-ën.
 
“Limaj, figurë politike me shumë ndikim, ka qenë udhëheqës i grupit kriminal”, ka thënë prokurori Johannes Picket.
 
Limaj, Krasnkqi e Teleaku, përvç krimit të organizuar, ballafaqohen edhe me akuzat “përvetësim gjatë detyrës zyrtare’, ‘lidhje e kontratës së dëmshme’, ‘keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe marrje e ryshfetit’.

Ndërkaq, Beqir Deda pronar i kompanisë ndërtuese “Burimi” dhe Ali Aliu që sipas aktakuzës ka shërbyer si ndërmjetës për MTPT dhe kompanitë, dyshohen se kanë kryer veprën penale – keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi.
 
Dyshimet e Prokurorisë janë për keqpërdorime me të paktën dy tendera.

“Qëllimi i grupit kriminal ka qenë përfitimi personal duke siguruar që tenderët për mirëmbajtje dhe ndërtim rrugësh t’iu jepen kompanive në bazë të preferencave politike dhe atyre që jepnin ryshfet”, ka thënë prokurori i EULEX-it, Johannes Picket.