Lajme Shqip Friday, 30 October 2015 14:03

Partitë opozitare të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, në seancën e së hënës, ku në rend ditë është ratifikimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit do të shkojnë me qëndrime të ndryshme.

Ndonëse tri partitë opozitare janë bashkuar si front i përbashkët në opozitë, dhe veprimet e tyre janë duke i zhvilluar në këtë mënyrë, sa i përket votimit të MSA-së, do të kenë qëndrim si grupe parlamentare të ndara.

Dy paritë opozitare Vetëvendosje dhe AAK, ende nuk kanë vendosur se a do të marrin pjesë në votim dhe si do të votojnë, kurse Nisma për Kosovën ka bërë të ditur si do të votojë në favor të miratimit të projektligjit për MSA-në, raporton lajmi.net.

Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë thënë se grupi parlamentar i saj, të hënën do ta diskutojë këtë çështje dhe do të marr një vendim.

Kurse në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, ende nuk kanë marr ndonjë vendim për mënyrën e votimit.

Zëdhënësi i kësaj partie Muharrem Nitaj, ka bërë të ditur se AAK nuk do ta pengojë miratimin e projektligjit për MSA-në, por për qëndrimin e tyre nuk ka ndonjë vendim pasi, sipas tij, deputete e kësaj partie ende nuk e kanë pranuar këtë projektligj.

“Për sa i përket votimit, ende nuk ka një qëndrim nëse deputetët do të votojnë apo jo, sepse akoma nuk e kanë projektligjin për MSA-në. Madje ky projektligj nuk ka kaluar as në Komisionin për Integrime, në mënyrë që më pastaj të procedohej në seancë plenare!”, ka thënë Nitaj për lajmi.net.

Ai po ashtu ka thënë se AAK kërkon që shumica parlamentare mos të fusë pika tjera në atë mbledhje për të përfituar nga qëndrimi i tyre për seancën.

“Kërkesë jona është që mbledhja ku do të ratifikohej MSA-ja, të mos ketë pika të tjera për shqyrtim dhe që shumica të mos provojë të përfitojë nga përcaktimi ynë për të mos penguar seancën për MSA-në”, është shprehur Nitaj.

Kurse partia e Fatmir Limaj, Nisma për Kosovën, për dallim prej partnerëve opozitarë, ka vendosur që të votojë në favor të miratimit të MSA-së.

Valdete Bajrami, shefe e Grupit Parlamentar të Nismës, ka thënë për lajmi.net se ata nuk do të bëhen pengesë për proceset e rëndësishme për Kosovën.

“Ne do të jemi në atë seancë dhe natyrisht se do ta votojmë. Po ashtu do paraqesim vërejtjet tona, por do ta votojmë. Nuk do të jemi pengesë për proceset e rëndësishme për vendin”, ka thënë Bajrami.

Seanca për miratimin e projektligjit për MSA-në do të mbahet të hënën nga ora 10:00.