Lajme Shqip Tuesday, 27 October 2015 08:03

Anëtari i Kryesisë së AAK-së dhe njëherësh drejtor i Marrëdhënieve me Publikun, Muharrem Nitaj në një intervistë të dhënë për Gazetën Blic ka theksuar se partia, pjesë e së cilës është do ta mbështes ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.

Ai ka bërë të ditur se pavarësisht se si do t’i kenë qëndrimet dy partitë tjera opozitare, Vetëvendosje e Nisma për Kosovën, partia e drejtuar nga Ramush Haradinaj do të jetë pjesë e ratifikimit të kësaj marrëveshjeje, ndonëse sipas tij është gjysmake.

Megjithatë, Nitaj nuk e konsideron këtë moment si fundin e Opozitës së bashkuar. Ai ka thënë se opozita nuk do të lëshoj pe në dy marrëveshjet e arritura, njërën me Serbinë e tjetrin me Malin e Zi, gjegjësisht për Asociacionin e Komunave Serbe dhe për Demarkacionin.

Ai ka thënë se AAK në asnjë mënyrë nuk do të afrohet me qeverinë, përderisa kjo e fundit nuk tërheq nënshkrimin për marrëveshjet e arritura.

 “Me këto mend që i ka qeveria sot, JO. Nëse ajo ndërron për dy kërkesat tona, sigurisht se do të provojnë të jemi partnerë të saj. Por do të ishte gabim fatal i tyre, sikur të mendonin që institucionalizimin e AAK-së, ta shfrytëzonin si dobësi të saj.

AAK-ja do të mbetet e pakompromis se dy marrëveshjet e fundit, janë gjëja më e keqe që mund t’i ndodh Kosovës, prandaj ato duhet të ndalen”, ka thënë Nitaj.