Lajme Shqip Wednesday, 28 October 2015 08:03

Ratifikimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Asocim për herë të parë, pas shumë seancave të ndërprera, pritet ta “çarmatosë” opozitën dhe me flamur të bardhë ta kthejë në Kuvendin e Kosovës

. Nënshkrimi i MSA-së ditën e djeshme me BE-në duke vënë kështu marrëdhënie kontraktuale me Evropën, shihet si e mirë e madhe edhe për opozitën. Megjithëse, ata hezitojnë për ta pranuar me “plot gojën” votën për këtë marrëveshje, opozita ka garantuar se të paktën bllokime nuk do të ketë.

Madje, AAK-ja ka përshëndetur edhe publikisht nënshkrimin e MSA-së. Edhe nga analistët “kundërshtimi” i opozitës nuk mendohet të ndodhë. Ndërkohë, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, ka urdhëruar Kuvendin që të bëjë ratifikimin sa më të shpejtë të këtij procesi edhe pse kjo çështje nuk do të jetë pikë e rendit të ditës të hënën në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës.

Ndërkohë, apel në drejtim të opozitës pas nënshkrimit të Marrëveshjes, për të ulur armët dhe për të filluar dialogun, kanë dërguar edhe zyra e BE-së në Prishtinë dhe ambasadat e vendeve të BE-së të cilat tashmë e kanë njohur shtetin e Kosovës. /Zeri