|
|
e Hënë, 20 Gusht 2012 17:36 Tiranë – Ministria e Punëve të Jashtme reagoi të hënën ndaj refuzimit të hyrjes në territorin e Republikës së Greqisë të gazetarit të Top Channel, Marin Mema, duke kërkuar që ky rast dhe rastet e tjera të refuzimeve të mëparshme, të rishqyrtohen dhe të zgjidhen sa më shpejt nga autoritetet kompetente greke.
“MPJ ka ndjekur me shumë shqetësim ngjarjen e djeshme, kur gazetarit të Top Channel, zotit Marin Mema iu refuzua hyrja në territorin e Republikës Greke nga autoritetet e policisë kufitare greke, në pikën e kalimit të kufirit në Qafë Botë”, thuhet në deklaratën e MPJ-së.
Lidhur me këtë rast, Sekretari i Përgjithshëm i kësaj Ministrie, Gazmend Turdiu thirri sot përfaqësuesin e Ambasadës greke në Tiranë, z. Evangelos Tsolkas, të cilit i komunikoi se MPJ ka ndjekur me vëmendje këtë rast dhe raste të tjera të mëparshme.
“MPJ gjykon se pengesat në realizimin e të drejtës për lëvizjen e lirë, nuk janë në përputhje me vullnetin e shprehur nga të dy palët, me nivelin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe japin një sinjal jo pozitiv”, thuhet në deklaratë.
Sekretari i Përgjithshëm i kërkoi përfaqësuesit të Ambasadës greke arsyen përse gazetari Marin Mema cilësohet “person i padëshiruar” në regjistrin kombëtar të Republikës Greke. Gjithashtu, Sekretari i Përgjithshëm kërkoi që ky rast dhe rastet e tjera të refuzimeve të mëparshme, të rishqyrtohen dhe të zgjidhen sa më shpejt nga autoritetet kompetente greke, si dhe të merren me urgjencë të gjitha masat që ngjarje të tilla të mos përsëritën më. (LajmeShqip.com)