Lajme Shqip e Premte, 15 Qershor 2012 17:04

Beograd – Takimi i shefave të shteteve të qeverive të vendeve pjesëmarrëse në Procesin për bashkëpunim në Evropën Juglindore (PBEJL), i cili u mbajt në Beograd, përfundoi sot pa sjelljen e deklaratës së përbashkët për shkak të mos harmonizimit të delegacionit shqiptar me tekstin e propozuar.

Fakti që Deklarata e Samitit nuk përfshin çështjen e Kosovës dhe qëndrimet e BE-së lidhur me të, ka bërë që Shqipëria të refuzojë firmosjen e saj dhe Samiti të ndërpresë punimet për një kohë të pacaktuar.

“Shqipëria nuk mund të pranojë këtë draft-rezolutë për shkak se nuk përmendet rezoluta e Budvës, si dhe rëndësia e marrëveshjes që është arritur tashmë dhe është zbatuar. Ajo që kërkojmë është që rezoluta në këtë segment të jetë në pajtim me qëndrimet e BE-së”, ka thënë përfaqësuesi i Shqipërisë.

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç deklaroi në konferencë për shtyp se deklarata nuk mund të pranohet pa konsensus dhe se Shqipëria ka kërkuar diçka që Serbia nuk mund ta pranojë.

“Bëhet fjalë për atë që të hapet kapitull i ri në organizatë, gjegjësisht t’u jepet mundësi përfaqësuesve qeveritarë nga Prishtina të marrin pjesë në mënyrë e cila nuk është e pranueshme për Serbinë, pasi që deri më tani nuk është dakorduar”, theksoi Nikoliç. (LajmeShqip.com)