Lajme Shqip Monday, 27 June 2011 14:29

Prishtinë – “Gjendja e sigurisë gjatë dy javëve të fundit në Mitrovicë ka qenë kryesisht e qetë”, u vlerësua sot, në takimin e Komitetit të Sigurisë në komunë, ku u njoftua edhe për një plan operativ të policisë për festën e nesërme serbe të Vidovdanit.

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se, në përgjithësi ka qenë një situatë e qetë gjatë dy javëve të fundit dhe një numër incidentesh që kanë ndodhur në veri nuk kanë ndikuar në gjendjen e përgjithshme.

Në këtë kontekst, ai përmendi disa protesta që janë mbajtur në veri kundër rotacionit të komandantëve të stacioneve policore atje. Ai vuri në dukje se në këto protesta dhe në tubimet e shpeshta që organizohen në veri, numri i atyre që marrin pjesë përditë është në rënie e sipër.

“Është një shenjë e mirë se qytetarët në veri po i kthehen jetës së përditshme duke mos ju përgjigjur kërkesave të ekstremistëve që tentojnë të mbajnë nën tension situatën në veri”, tha Bala. Ai shprehu shqetësimin për provokimet e motorristëve të ardhur nga Serbia në fundjavë në veri të Mitrovicës. Sipas tij “ata kanë ardhur për Vidovdan dhe kanë provokuar dhe shqetësuar banorët joserbë në veri. “Policia ka dalë me plan operativ për këtë organizim që mbahet në Gazimestan dhe ne kërkojmë masa ndaj të gjithë atyre që shkelin ligjin”, theksoi Bala.

Në çdo 28 qershor serbët në Manastirin e Graçanicës dhe në Gazimestan festojnë Vidovdanin apo Betejën e Kosovës, që ka ndodhur më 1389.