Lajme Shqip Thursday, 16 June 2011 09:47

Mitrovicë – Konventa për të drejtat e të pagjeturve po shkelet në Kosovë dhe familjarët e të pagjeturve nuk dëshirojnë të jenë pengesë e proceseve, por nuk do të pranojnë të futen në procese integruese pa u identifikuar dhe rivarrosur të dashurit e tyre. Është thënë në debatin e organizuar nga Shoqata “Zëri i Prindërve” në Mitrovicë, që u përkrah nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Pagjetur. Kryetari i Komisionit qeveritar për të pagjeturit, Prenk Gjetaj, ka pranuar se nuk është bërë sa duhet në këtë drejtim, duke hedhur një pjesë të fajit te drejtori ndërkombëtar i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Alen Robinson. Ndërkaq, Arsim Gërxhaliu, nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore, tha se vendorët në kuadër të këtij departamenti janë të injoruar nga EULEX-i.