Lajme Shqip e Hënë, 18 Qershor 2012 12:45

Drejtuesit e Komunës së Mitrovicës, kanë përshëndetur aksionet e KFOR-it për mbylljen e rrugëve ilegale në veri të Kosovës. Në të njëjtën kohë kanë kërkuar që këto aksione të vazhdojnë në mënyrë që të vendoset rregulli dhe të pamundësohet kontrabanda.

Nënkryetari i komunës, Riza Haziri, tha të hënën në takimin e Komitetit për Siguri, ku qenë të pranishëm edhe përfaqësues të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, se vendosmëria e KFOR-i ditëve të fundit ka dhënë rezultate pozitive.

“Strukturat e sigurisë nuk duhet të dorëzohen para kriminelëve dhe grupeve ekstremiste që duan kaos dhe pasiguri”, tha ai.

Ai theksoi se gjatë dy javëve të fundit situata ka qenë më e qetë, për çka duhet të falënderohen në radhë të parë strukturat e sigurisë. Tha se këto struktura duhet të vazhdojnë aksionet për vendosjen e normalitetit në gjithë veriun.

Ndërsa drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se në dy javët e fundit ka pasur disa incidente të vogla që nuk kanë ndikuar në gjendjen e përgjithshme të sigurisë. Përmendi sulmin me armë zjarri ndaj policisë në Lagjen e Boshnjakëve, mandej protestën e qytetarëve serbë kundër konfiskimit të targave të vjetra. (LajmeShqip.com)