Lajme Shqip e Shtunë, 02 Qershor 2012 15:34

Mitrovicë – Drejtuesit e Komunës së Mitrovicës e kanë mirëpritur aksionin e KFOR-it për largimin  e barrikadave nga rrugët në veri, të cilat e kanë vështirësuar së tepërmi jetën e qytetarëve në atë pjesë të vendit.

Në të njëjtën kohë është dënuar sulmi dhe plagosja e dy ushtarëve të KFOR-it nga ekstremistët serbë. Kryetari i komunës, Avni Kastrati, tha se barrikadat në rrugë janë të papranueshme, prandaj strukturat e sigurisë si ato vendore edhe ato ndërkombëtare duhet të jenë të vendosura që të mos lejojnë vendosjen e tyre. “Mentaliteti i barrikadave nuk ka vend në Kosovë, andaj KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës duhet të kryejnë misionin e vet për të krijuar liri të lëvizjes për të gjithë”.

Ai tha se ashpërsia e reagimit të ekstremistëve serbë nuk duhet të ndikoj në vendosmërinë e autoriteteve vendore dhe ndërkombëtare për të krijuar një ambient të qetë në veri të Kosovës. “Ne e dënojmë ashpër plagosjen e ushtarëve të KFOR-it nga ekstresmistët serbë, të cilët me çdo kusht duan ta mbajnë një ambient kaotik me qëllim të sabotimit të shtetit të Kosovës”.

Kryetari Kastrati, ka shprehur respekt për qytetarët e veriut, sidomos ata shqiptarë, të cilët edhe në këto rrethana janë duke u treguar të përgjegjshëm dhe gjakftohtë. “Ekstremistët serbë e kanë parë fundin e tyre, andaj  edhe janë kaq të vrazhdë. Të gjithë duhet të kuptojnë se krimi do të ndeshkohet”. (LajmeShqip.com)