Lajme Shqip Sunday, 23 September 2012 17:52

Prishtinë – Banorët shqiptarë të veriut të Mitrovicës nëpërmjet përfaqësuesve të tyre të organizuar në një këshill të përbashkët kanë organizuar të dielën, një ceremoni për të falënderuar të gjithë ata që janë duke ndihmuar për rindërtimin e kësaj zone.

Ata kanë falënderuar dhe ndarë çmime mirënjohje për donatorët dhe për drejtuesit e Komunës së Mitrovicës që kanë organizuar aksionin humanitar “Ndihmo edhe ti”.

Florent Azemi në emër të Këshillit të lagjeve veriore, tha se ndihma për rindërtim në veri është treguesi më i mirë për ndjenjën patriotike të shqiptarëve. Ai tha se shtëpitë që janë duke u rindërtuar në veri janë investim që ka karakter kombëtar, përveç atij humanitar. Deri me tani në kuadër të aksionit humanitar “Ndihmo edhe ti” janë ndërtuar dhe janë në proces të rindërtimit 17 shtëpi.

Ndërsa kryetari i komunës, Avni Kastrati, të cilit i është ndarë çmimi i mirënjohjes, u shpreh shumë i lumtur për punën që po bëhet. Ai falënderoi dhe një herë të gjithë ata që kanë ndihmuar dhe janë duke ndihmuar për veriun. Çmime mirënjohje u janë ndarë të gjithë donatorëve që kanë ndihmuar në rindërtimin e shtëpive në këtë fazë. 

Sipas autoriteteve të komunës, në veri të Mitrovicës viteve të fundit janë rindërtuar më shumë se 100 shtëpi me mbështetje të qeverisë së Republikës së Kosovës, por nevoja ende është e madhe, meqë janë edhe rreth 250 shtëpi që duhet të rindërtohen.

Në veriun e Mirovicës rindërtimi i shtëpive të djegura e të shkatërruara gjatë luftës së përfunduar në qershorin e para 13 viteve, filloi në prill të vitit 2009, duke u përballur edhe me protesta të ektremistëve serbë, të cilët kundërshtonin rindërtimin dhe kthimin e shqiptarëve në pronat e tyre.

Nga veriu i qytetit të ndarë të Mitrovicës, gjatë luftës dhe pas saj, janë dëbuar së paku 12 mijë shqiptarë. (LajmeShqip.com)