Lajme Shqip Sunday, 19 June 2011 17:36

Prishtinë – Komuna e Mitrovicës ka marrë sot në menaxhim të gjitha pajisjet dhe hapësirën e kampit “Belvedere”, në Frashër, ku deri tani ka qenë i vendosur KFOR-i.

Kjo është bërë e mundur pas vendimit të Ministrisë së Mbrojtjes të Frances, bën të ditur zyra e shtypit e komunës së Mitrovicës.

Kryetari i komunës, Avni Kastrati, ka falënderuar ambadasorin francez dhe shtetin francez për këtë vendim, duke e vlerësuar si shumë të rëndësishëm për Mitrovicën.

“Në qytetin tonë ka probleme të mëdha për shkak të rrethanave specifike, sidomos për strehim dhe këto pajisje që gjenden aty do të shfrytëzohen për këtë qëllim”, tha ai.

Ndërsa, drejtori komunal për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale, Kastriot Jashari, sqaroi se përveç rasteve sociale që kanë probleme me banim, në kontejnerët që gjenden në atë vend do të vendosen edhe familjet e riatdhesuara si dhe një hapësirë do të ndahet për azilkërkuesit. Ai tha se ajo hapësirë e liruar nga KFOR-i do të menaxhohet bashkërisht nga Komuna dhe Ministria e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës.

Ai tha se hapësira ekzistuese në Frashër, ku gjenden rreth 800 dhoma banimi, në një hapësirë prej rreth 20 hektarësh, do të ndahet fizikisht për rastet sociale, të riatdhesuarit dhe azilkërkuesit. “Prej të dielës ai vend është në përgjegjësi tonën dhe tashmë sigurinë aty është duke e bërë Policia e Kosovës”, është shprehur drejtori komunal në Mitrovicë për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale.