|
|
e Hënë, 19 Mars 2012 12:58 Prishtinë-Drejtuesit e Komunës së Mitrovicës kërkuan sot nga strukturat e sigurisë që të shtojnë presionin për largimin e barrikadave, që ende qëndrojnë në rrugët e veriut të vendit.
Në një njoftim të zyrës së shtypit të komunës së Mitrovicës thuhet se, në takimin e Komitetit për vlerësimin e sigurisë, nënkryetari i komunës, Riza Haziri, ka bërë të ditur se situata në veri mbetet e pandryshueshme, ndërsa barrikadat janë duke e mbajtur gjendjen të tensionuar duke krijuar probleme të mëdha për lëvizje të qytetarëve.
“Kërkojmë nga organet e sigurisë që të shtojnë presionin lidhur me largimin e atyre barrikadave që kanë mbetur”, tha ai.
Haziri gjithashtu shprehu edhe qëndrimin e komunës së Mitrovicës kundër organizimit të zgjedhjeve nga Serbia në Kosovë. “Mbajtja e tyre në veri do të ndikonte në tensionimin e situatës deri në një pikë kritike”, tha ai.
Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, u shpreh se, “gjatë dy javëve të fundit nuk ka pasur incident serioz, që do të reflektohej në situatën e përgjithshme të sigurisë, por shqetësim i vazhdueshëm është mungesa e lirisë së lëvizjes në veri, sidomos për qytetarët jo serbë, përfshirë banorët e fshatrave shqiptare të komunës së Leposaviqit”.
Përfaqësuesi i policisë rajonale të Kosovës, Nystret Mehmeti, vuri në dukje se përveç barrikadave problem në veri mbeten pengesat që po bëhen për lëvizjen e pjesëtarëve të EULEX-it. “Çdo ditë ka raste të pengimit të lëvizjes së pjesëtarëve të EULEX-it në veri”, tha ai. Përfaqësuesi i policisë rajonale përmendi edhe problemet që po shfaqen si pasojë e shfrytëzimit të rrugëve ilegale në kufi me Serbinë në veri. “Kemi kërkuar nga KFOR-i që të mbyllin rrugët alternative, për faktin se po shkaktojnë probleme”, tha ai. (LajmeShqip.com)