Lajme Shqip Friday, 10 June 2011 15:26

Mitrovicë – Serbët e Kollashinit janë akoma në pritje të përgjigjes ndaj kërkesave të tyre, të cilat të hënën i kanë adresuar tek institucionet ndërkombëtare në Kosovë, nga e cila varet se a do të vazhdojnë tutje me bllokimin e rrugëve në këtë rajon.

Kryetari i shoqatës së bizneseve në Zubin Potok, Ratomir Bozhoviq ka thënë se akoma janë duke pritur një përgjigje nga shefi i EULEX-it rreth kërkesave të tyre.

“Jemi në pritje që Ksavier De Marnak, të jap një përgjigje në kërkesat tona të parashtruara, sepse afati në lidhje me këtë skadon sot. Protestat janë shtyrë deri në një të ardhme të pacaktuar, ndërsa se a do të vazhdojnë apo jo, varet nga përgjigjja të cilën e presim sot”, tha Bozhoviq.

Ndryshe, serbët e kësaj ane kërkojnë që të ndërpritet kontrolli dhe evidentimi i mallrave në pikën e quajtur Banje, ndërsa që kjo pikëkontrolli të zhvendoset në mes të fshatit Zupq që është i banuar me serbë dhe fshatit Koshtovë të banuar me shqiptarë. Ata po ashtu kërkojnë lirimin e Jevrem Panteliq, të cilin EULEX-i e ka arrestuar me dyshim për pjesëmarrje në krim të organizuar.