Lajme Shqip Monday, 27 July 2015 12:33

Shefja e ekipit negociator të Serbisë me Bashkimin Evropian, Tanja Mishçeviq, ka deklaruar sot se pranimi i Kosovës në organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë e Kulturë (UNESCO) do të ishte një precedent, që sipas saj do t’i shkakton dëm funksionimit të mëtejshëm të kësaj organizate

Ajo ka rikujtuar se Serbia, si një anëtare e UNESCO-s tashmë ka protestuar dhe ka shtuar se shtetet që nuk janë anëtare të KB vështirë mund të bëhen anëtare të UNESCO-s.

“Fatkeqësisht në organizatat ndërkombëtare ka hyrë politika dhe ajo që mund të bëjë Serbia është aktiviteti i fuqishëm diplomatik, bisedimet dhe sqarimet në UNESCO se çfarë dëmi do të mund t’i shkaktonin funksionimit të mëtejshëm të vetë kësaj organizate”, transmeton Koha.net deklaratën e Tanja Mishçeviqit dhënë RTS-së në lidhje me kërkesën e Kosovës për pranim në UNESCO.

Sipas saj, në Kosovë ndodhet një trashëgimi kulturore jo e vogël dhe që nuk është vetëm serbe, por trashëgimi qytetërimi dhe me të duhet të merret UNESCO.