Lajme Shqip Saturday, 24 December 2011 20:00

Tiranë-Besimtaret e krishterë në Shqipëri do të festojnë ditën e shënuar të lindjes së Jezu Krishtit, që kremtohet në gjithë botën si dita e shpresës dhe dashurisë njerëzore.

Besimtarë katolikë do të kremtojnë mesnatën duke u gdhirë 25 dhjetori, lindjen e Jezu Krishtit në Katedralen e “Shën Palit” në Tiranë.

Ndërkohë që një mesazh urimi për besimtarët katolike, është përcjellë sot nga Imzot Rrok Mirdita, i cili kërkoi nga njerëzit të kenë besim në Zot.

“Qofshin këto Krishtlindje një mundësi e gëzueshme për të gjithë njerëzit për të takuar Zotin e tyre të vërtetë, e për të përjetuar gëzimin e pafund që sjell ky takim! Uroj nga Zemra Krishtlindje të gëzuara e një vit të Ri plot me bekime!”, tha në mesazhin e tij të urimit Imzot Rrok Mirdita.

 Edhe besimtarët ortodoksë në Shqipëri do të festojnë ditën e shënuar të lindjes së Jezu Krishtit, që kremtohet në gjithë botën si dita e shpresës dhe dashurisë njerëzore.

Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, përmes një deklarate në media, ka uruar sot besimtarët e krishterë për festën e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri!

“Kapërcimi i të pamundurës nga ana njerëzore është mesazhi qendror i Krishtlindjeve dhe thirremi ta gëzojmë brenda realitetit të ashpër këtë përvjetor. Ne që vështrojmë me besim, birin dhe fjalën e Perëndisë të bërë njeri, e kemi se ai qëndron me ne dhe se shumë gjëra të pamundura nga ana njerëzore me fuqinë e Perëndisë bëhen të mundura. Vëllezër dhe motra të dashur, uroj që kjo bindje të fuqizohet brenda nesh gjatë kësaj periudhe festive, të na ngushëllojë e të na mbështesë në vitin që po vjen! Krishtlindje të bekuara! Viti i Ri qoftë i mbushur plot me durim dhe paqe!”, tha kryepeshkopi Janullatos,  në mesazhin e tij të urimit. (LajmeShqip.com)