Lajme Shqip e Mërkurë, 21 Mars 2012 18:27

Kuvendi miratoi të mërkurën me 71 votat pro të maxhorancës dhe 48 vota kundër të opozitës ndryshimet ligjore që parashikojnë privatizimin e kompanisë së naftës “Albpetrol”.

Dy projektligjet, që ndryshojnë statusin e kompanisë shtetërore të naftës Albpetrol, ndanë qartësisht palët politike në parlament, lidhur me domosdoshmërinë e privatizimit.

Kryeministri Sali Berisha, duke mbrojtur draftin e qeverisë, ftoi opozitën të mos kundërshtojë privatizimin e Albpetrolit, pasi përmes tij maksimizohet vlera potenciale e hidrokarbureve.

Referuar projektligjeve të propozuara nga qeveria, kompania që do të rezultojë fituese në garën për privatizimin e kompanisë së naftës Albpetrol, do të mund të shfrytëzojë rezervat natyrore dhe të drejtat e kërkimit të naftës me një afat 25 vjeçar.

Por, ndryshe nga projekti i parë, deputetët demokratë propozuan një amendament të ri, i cili rrit më tej vlerën e aseteve të kompanisë Albpetrol, duke zgjeruar fushën e veprimit të kompanisë.

Propozimi i mbrojtur nga kreu i komisionit të Ekonomisë Edmond Spaho, parashikon shtimin e një liste të re me burime natyrore që mund të shfrytëzohen nga kompania që do të privatizojë Albpetrolin.

Në këtë listë të re, Albpetrolit të privatizuar i jepet e drejta që të kërkojë dhë të shfrytëzojë burimet natyrore në naftës edhe në zonën bregdetare të Durrësit dhe në hapësirën mes Durrësit dhe Tiranës.

Sipas deputetëve propozues, ky amendim i ri do të rrisë më tej vlerën e kompanisë, duke e bërë garën për privatizim edhe më tërheqëse.

Deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, kundërshtoi privatizimin në mënyrën e paraqitur, duke deklaruar se buxhetit po i hiqet një pjesë e mirë prej 50 milionë dollarësh në vit.

Duke argumentuar votën e saj kundër projektligjeve që përgatisin kompaninë për privatizim, opozita tha se Albpetrol nuk duhet të privatizohet, por të menaxhohet përmes një investimi në teknologji, që mund të shtojë prodhimin.

Duke parashtruar një studim paraprak, opozita tha se shfrytëzimi nga shteti i kompanisë do të kthente këtë sektor në një prej sektorëve kryesorë të ekonomisë së vendit. Grupi i deputetëve të PS-së votoi kundër projektligjit, duke akuzuar qeverinë për mungesë transparence.

Gjatë seancës së sotme Kuvendi miratoi me 111 vota edhe p/ligjin “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme.