Lajme Shqip Thursday, 04 July 2013 13:00

Tiranë – Mbledhja e radhës e Këshillit Kombëtar të Territorit ka pasur në qendër miratimin e planit kombëtar sektorial për gazsjellësin TransAdriatik.

Kryeministri Sali Berisha tha se ky është një lajm i mirë për Shqipërinë, pasi i jep fund problemeve energjetike të Shqipërisë.

Berisha tha se në vitin 2019, në Shqipëri do të vijë gazi i parë nga fushat e Shah Denizit.

“Siç është bërë e njohur, gazsjellësi TAP sjell gazin e Shah Deniz në detin Kaspik në Europë dhe kalon në territorin shqiptar. TAP u përzgjodh nga konsorciumi si më i leverdishmi për të sjellë gazin e fushave kaspike në Europë. Sot ky është projekti më gjigand. Për herë të parë në histori peshku i madh nuk ha të voglin dhe TAP fillon me 40 miliard dollarë investim fillestar. Ky është vetëm fillimi, pasi fusha të tjera të mëdha gazi do t’i bashkohen në të ardhmen”, tha Berisha.

“Ky projekt rigjeneron të ardhur për shqiptarët duke filluar nga shpronësimet deri tek punësimet ku janë 10 mijë familje shqiptare që përfitojnë. Burimi i gazit nga ky gazsjellës do të mund të mbështesë totalisht si industritë e vendit, dhe përdorimin familjar dhe me një kosto shumë më të ulët. Projekti gjeneron të ardhura për buxhetin e shtetit. TAP është një ogur i bardhë për rezervat e mëdha të gazit që mesa duket ka Shqipëria” vijoi kryeministri.

“TAP është tani burimi më real, më i mundshëm, më i prekshëm i gazit. TAP fillon vitin e ardhshëm ndërtimin, përfundon në 2018 dhe në 2019-n Shqipëria merr gazin e parë”, raporton tema.

Berisha nuk ka harruar të falenderojë presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Alijev, i cili sipas tij tregoi ndjenjat më miqësore ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.