Lajme Shqip Thursday, 16 June 2011 10:35

Prishtinë – Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, në një takim sot në Prishtinë me ish-Përfaqësuesin e Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Soren Jessen-Petersen, e njofoi se do të krijojë Grupin “Miqtë e Kosovës” pranë Presidentes, ku do të marrin pjesë figurat e shquara ndërkombëtare, të cilat do të lobojnë dhe do të punojnë për imazhin e vërtetë të Kosovës.

Presidentja Jahjaga i shprehu mirënjohje Jessen-Petersenit për kontributin e dhënë për çështjen e Kosovës, duke e konsideruar si një nga miqtë e vendit.

Sipas burimeve zyrtare nga Presidenca, në një bashkëbisedim miqësor, Jessen-Petersen e përgëzoi presidenten Jahjaga për punën e saj dhe vlerësoi se ajo është personi i duhur në momentin, kohën dhe vendin e duhur.

Ai tha se Presidentja Jahjaga erdhi në krye të vendit në kohën kur, siç u shpreh, “ne mendonim se imazhi i Kosovës ishte rrënuar, posaçërisht pas raportit të Dick Marty-t, por u gjet zgjidhja më e mirë për Kosovën për faktin se jeni jopartiake, se jeni femër dhe faktor uniteti”.