Lajme Shqip Friday, 04 April 2014 13:27

Kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi thotë se ende nuk kanë pranuar asnjë dokument zyrtar që do të trajtohej nga Kuvendi sa i përket Tribunalit që do të gjykonte krimet e supozuara të UÇK-së

Ai ka kërkuar detaje të mëdha rreth kësaj kërkese. Këto deklarata kreu i Kuvendit Krasniqi i bëri pas takimit me homologun e tij shqiptar Ilir Meta i cili tha se cdo tentim për vënë në diskutim legjitimitetin e  luftës së Kosovës është i pa vend dhe i diskutueshëm. 

Thellimi i bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë në të gjitha segmentet e jetës ishte në fokus të takimit mes kryeparlamentarit, Jakup Krasniqi me homologun e tij shqiptar, Ilir Meta. Zyrtarët komentuan edhe themelimin e një Tribunali të supozuar në Kosovë për UÇK-në. Kransiqi tha se Kuvendi nuk ka marrë asnjë dokument zyrtar lidhur me këtë Tribunal.
 
“Ende nuk kemi pranuar asnjë dokument zyrtar lidhur me Tribunalin për UÇK-në. Kuvendi do të diskutoj për të vetëm në momentin kur të vijë kërkesa zyrtare. Ne do të kërkojmë detaje të mëdha rreth kësaj kërkese”. 
 
Edhe kryeparlamentari, Ilir Meta tha se Tribunali nuk mund të vë në diskutim luftën e UÇK-së.
 
Ndërsa kreu qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi pas takimit me kreun e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, nuk ka specifikuar nëse do të themelohet ose jo një gjykatë për luftën e UÇK-së në Kosovë, por ka thënë se Kosova dhe Bashkimi Evropian do ta shkëmbejnë një letër këmbim me të cilin do të qartësohet edhe pozicioni i EULEX-it.
 
Ndryshe në të gjitha takimet ndërmjet kryeparlamentarit të Shqipërisë, Ilir Meta dhe zyrtarëve në Prishtinë u tha se perspektiva e dy vendeve është evropiane.
 
Meta gjithashtu përgëzoi kryeministrin për kurajon e tij sa i përket dialogut me Serbinë, i cili ka qenë proces mjaft i vështirë por jetik për perspektivën evropiane të rajonit.
 
Ai gjithashtu është shprehur edhe për liberalizim sa më të shpejtë të vizave për kosovarët. Ndërkohë Meta ka bërë homazhe te varri i ish presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova dhe në kompleksin memorial në Prekaz./rtk/