Lajme Shqip Tuesday, 14 June 2011 15:52

Tiranë – Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, përshëndeti sot vendimin e marrë nga Kolegji Zgjedhor mesnatën e mbrëmshëm, duke e cilësuar atë të drejtë dhe të logjikshëm.

Në një konferencë për shtyp nga selia e LSI-së, Meta tha se ky vendim jo vetëm respekton votën e çdo qytetari të Tiranës, por edhe i hap rrugë një transparence të plotë të procesit zgjedhor në kryeqytet, duke sjellë një standard të ri të zgjedhjeve dhe të transparencës.

Ai shtoi se ky standard është në vijim të atij standardi që vendosën qytetarët më datën 8 maj, me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme në zgjedhje, por edhe me një sjellje demokratike dhe paqësore si qytetarë të vërtetë europian.

Meta shprehu bindjen se transparenca e plotë dhe maksimale e pandodhur më parë, është e mirëpritur dhe e domosdoshme për të mbyllur një herë e mirë kapitullin e kontestimeve të ciltdo që nuk do t’i pëlqente rezultati përfundimtar, por edhe për të vendour këtë rekord të ri të transprencës së procesit zgjedhor.

“Është e vërtetë që po humbasim më shumë kohë, por është e vërtetë që po fitojmë një standard të ri të transparencës së zgjedhjeve”, deklaroi Meta, ndersa shtoi se “rëndësia edhe e një vote të vetme është bërë tepër përcaktuese duke i dhënë peshë reale çdo vote”.

Ndërsa, pyetur nga mediat për ndërhyrjen e Komisionit të Venecias, kreu i LSI-së tha se çdo sugjerim është i mirëpritur, por në fazën aktuale, gjithçka është në dorën e gjykatës supreme, në rastin konkret e Kolegjit Zgjedhor.

“Komisioni i Venecias nuk ka mundësi të luajë rol në këtë proces tërësisht kushtetues dhe në respekt të kodit zgjedhor. Komisioni i Venecias mbetet një komision i dobishëm, por sugjerimet e tij do të jenë me rëndësi përsa i përket të ardhmes dhe reformës që duhet të nisë pas çertifikimit të rezultateve, pasi kjo është kompetencë e gjykatave shqiptare”, përfundoi Meta.