Lajme Shqip e Hënë, 30 Janar 2012 18:00

Tiranë – Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi sot se “roli i gruas në vendimmarrje, por edhe në të gjithë jetën politike institucionale, ekonomike, shoqërore të vendit, është një vlerë e jashtëzakonshme që synojmë ta çojmë në një standard më të lartë”.

Duke folur në një konferencë për shtyp mbi Lëvizjen e Gruas për Integrim, kreu i LSI-së theksoi se kjo është një lëvizje e rëndësishme në kuadër edhe të Konventës Kombëtare zgjedhore të LSI-së, që do të zhvillohet në 18-19 maj në Tiranë.

“Riorganizimi i Lëvizjes së Gruas për Integrim do kurorëzohet me konventën tuaj kombëtare dhe zgjedhore brenda marsit. Kjo është ngjarje e rëndësishme në kuadër të riorganizimit dhe në prag të konventës zgjedhore në 18 dhe 19 maj në Tiranë”, theksoi Meta.

“100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë duhet konceptuar si një moment reflektimi për çdo forcë politike ndaj vendit dhe ndaj tërësisë së reformave të integrimit europian në mënyrë që të arrijmë stndardet dhe vlerat demokratike që meriton Shqipëria dhe e ardhmja e saj”, tha Meta.

“Ky koncept i yni për peshën dhe rolin e gruas në vendimmarrjen politike nuk është një slogan për të qenë në union me retorikën për shanse të barabarta apo për të respektuar formalisht detyrimet ligjore për normat e përfaqësimit gjinor, por është shenjë e qartë e vlerësimit, respektit, mirënjohjes që LSI ka për rolin dhe kontributin e pazëvendësueshëm të gruas dhe nënës në shoqëri”, u shpreh Meta.

Sipas kreut të LSI-së, fitorja e vitit 2013 e deri në 2020 dhe rritja e rolit dhe peshës politike të LSI-së në të gjithë vendin nuk mund të përmbushen siç duhet nëse nuk do ngrihet në pretendimet tona angazhimi i lëvizjes së gruas në LSI.

“Përballimi i sfidave të radhës që lidhet me fitoren në zgjedhjet e viti 2013, rritja e rolit dhe peshës politike të LSI në të gjithë jetën e vendit nuk mund të përmbushet me suksesin e dëshiruar nëse roli dhe kontributi i Lëvizjes së Gruas për Integrim nuk do të ngrihet në nivelin e pretendimeve tona për Shqipërinë e vitit 2020″, u shpreh Meta.

“LSI është parti e sfidave të mëdha, e angazhimeve të mëdhaja dhe garante e jetës suaj”, tha Meta, duke propozuar rritjen e masës së përfaqësimit të vajzave dhe grave të LSI-së në strukturat dhe nivelet e LSI-së.

“Të njëjtin qëndrim do të mbajmë edhe për çështjet  që po diskutojmë edhe në kuadër të reformës zgjedhore duke qenë në mbështetje të qëndrimeve të artikuluara nga përfaqësuesit e shoqërisë civile për përfaqësimin e grave në listat e zgjedhjeve në të gjithë vendin”, theksoi Meta.