Lajme Shqip Thursday, 29 March 2012 21:33

Uashington-Do të ishte padrejtësi e madhe nëse Shqipëria nuk do të merrte statusin kandidat për në BE. Është kjo deklarata e kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta bërë gjatë një interviste dhënë për Zërin e Amerikës. I pyetur nëse Shqipëria do të marrë statusin e vendit kandidat në fund të vitit, Meta u përgjigj:

“Për mendimin tim do të ishte një padrejtësi e madhe nëse Shqipëria nuk do ta merrte statusin e vendit kandidat. Padrejtësi në drejtim të qytetarëve shqiptarë, edhe në drejtim dhe të raportit Shqipëri-Bashkim Europian, në drejtim dhe të asaj që Shqipëria ka bërë, bën për paqen e stabilitetin në rajonin e Ballkanit përmes një politike shumë të vlerësuar”.

Sipas tij, Shqipëria përsa i takon kriterit ekonomik i ka përmbushur thuajse të gjitha detyrimet dhe është një vend që është vlerësuar e vlerësohet sa i takon të gjitha këtyre reformave. Po kështu edhe sa i takon dhe përafrimit të legjislacionit Meta tha se vendi ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe kjo është vlerësuar. Por kreu i LSI-së nuk la pa përmendur edhe bojkotin e opozitës që për gati dy vjet sipas tij tregoi mungesë vullneti për të miratuar reformat e nevojshme.

“Përsa i takon disa çështjeve të rëndësishme, të cilat kanë të bëjnë me dialogun politik kuptohet që nuk ka qenë vullneti këtu për të miratuar disa gjëra, që u miratuan muajt e fundit, por që mund të ishin miratuar dhe para dy vjetësh apo dhe gjëra të tjera që pritet të miratohen, por që duhet të ishin miratuar dy vjet më parë sikurse është dhe rasti i Gjykatës Administrative, e cila ka të bëjë edhe me rritjen e transparencës, ka të bëjë dhe me luftën kundër korrupsionit, edhe me përmirësimin e klimës së biznesit dhe me shumë elementë të tjerë. Ndaj unë besoj se Shqipëria duhet ta marrë statusin dhe angazhimi ynë është që ne t’i plotësojmë të gjitha këto angazhime, të gjitha këto prioritete, ndërkohë që duhet të kuptojmë që ka dhe prioritete, të cilat do të jenë për një kohë të gjatë si të tilla”-ka thënë Meta.