Lajme Shqip Sunday, 23 June 2013 09:04

Prishtinë – Nuk lë tender pa fituar në Deçan. E tash është zgjedhuar edhe më shumë. Fahri Selmanaj, vëllai i kryetarit të Deçanit Rasim Selmanaj ka nis e po fiton punë edhe në Prishtinë.

Ai së fundi ka fituar një tender goxha të majmë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në vlerë prej afër 26 mijë eurosh. Në mesin e shumë kompanive që i hynë garës për ta furnizuar QKUK’në me materiale për shtyp, finalist e më pas edhe fitues doli vëllai i kryetarit, shkruan Express. 

Shtypshkronja “Agimi De” që diku figuron si kompani në pronësi të Fahri Selmanajt e diku tjetër është e regjistruar në emrin e gruas së tij, Hajrije Selmanajt, këtë vit do ta furnizojë QKUK për çdo material të shtypur që ajo ka nevojë, përfshirë këtu edhe udhëzimet e recetave që lëshohen nga mjekët.“QKUK ka pranuar gjithsej shtatë tender për furnizim me materiale për shtyp. Tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të lartë që ka konkurruar ishte 63 mijë e 544 euro, derisa ai më i ulëti 25 mijë e 838 euro”, thuhet në njoftiminqë QKUK ka publikuar në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

E sipas QKUK’së, ishte pikërisht kompania e Fahriut dhe e Hajrisë, ajo që konkurroi me ofertën më të volitshme. Prandaj me 14 qershor të këtij viti u shpall fituese, derisa kontrata të dyja palët e nënshkruan vetëm pas nëntë ditësh, me 23 qershor.

Është e njëjta kompani e cila që nga viti 2004, kur ky ishte regjistruar si “Agimi De” ka fituar të gjithë tenderët për furnizimin me materiale të shtypura (administrative), në komunën e Deçanit.

Më 31 korrik 2009, “Agimit De” i ishte dhënë një kontratë për furnizim me material administrativ për kuvendin komunal, shkollat, mirëqenien sociale dhe Qendrën e Mjekësisë Familjare (QMF) “A. Ukëhaxhaj”. Në tetor të vitit 2011 sërish kompania “Agimi DE” shpallet fituese edhe për dy vitet e ardhshme për tenderin e njëjtë. Të gjitha këto tender i fitoj në Deçan.

Në vitin 2010 ajo kishte sjell material prej 46 mijë eurosh për komunën, ndërsa në gjashtëmujorin e parë të 2011’ës, 27 mijë euro.

Megjithëse vet Fahriu ka thënë më herët se ai nuk është pronar i kompanisë. “Pronare dhe themeluese e kësaj kompanie është gruaja ime. Unë këtu (te shtypshkronja e ‘Agimi De’) jam punëtor. Punëtor me rrogë”, pati thënë ai.