Lajme Shqip Monday, 24 December 2012 15:43

TIRANË – Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos ka uruar sot të gjithë besimtarët ortodoksë për Krishtlindjet. 

“Zoti i drejtoftë zemrat tuaja në durimin e Krishtit”, shprehet Janullatos, në mesazhin e tij. “Të gjithë e dimë se kushtet e sotme në vendin tonë janë jashtëzakonisht të vështira. Mos e lejojmë shkurajimin të na pakësojë fuqinë e shpirtit, të paralizojë forcat tona. Le të shfaqim durim edhe në zemëratën tonë të justifikuar, ndaj tensionit dhe frikës mashtruese që ndeshen kudo. Sigurisht, kur flasim për durimin e krishterë, nuk nënkuptojmë përballje pasive, një lloj qëndrimi stoik, një formë nirvane, heqje dorë nga përgjegjësitë dhe kërkesat e drejta, indiferencë për aksion social”, thuhet në mesazhin e tij.

Sipas Janullatus, durimi i krishterë nuk përbën dobësi karakteri. Përkundrazi, ngjason me fuqinë e frenave që mbron nga aksidentet, që garanton sigurinë e udhëtimit. “Me anë të durimit, njeriu përdor më mirë fuqitë e tij intelektuale dhe sentimentale. Durimi i bashkuar me këmbënguljen e paqtë, çel kalime në shumë rrugë pa krye: në marrëdhëniet familjare, në krizat e shëndetit, në vështirësi të ndryshme ekonomike, gjatë procesit të edukimit, në hulumtimin shkencor, në përpjekjet krijuese. E udhëheq njeriun drejt pjekurisë. Të gjitha sa nxirren në pah në këto ditë kremtuese, vëllezërit e mi, paqja, dashuria, shpresa dhe durimi që theksuam ditën e sotme, janë gjëra të ndërlidhura njëra me tjetrën, ashtu siç ndërlidhen në trupin tonë organet jetësore, sistemi nervor, i qarkullimit të gjakut dhe ai muskulor. Secili ndërvaret, mbështet dhe fuqizon tjetrin. Pra durimi nuk është aspak i veçuar dhe autonom.

Ai ftoi të gjithë besimtarët t’i luten Zotit fort, në këto festa të Krishtlindjeve që të orientojë mendimet tona drejt kësaj forme durimi, por mbi të gjitha, ta bëjë këtë edhe me zemrat tona. “Të na orientojë drejt “durimit të Krishtit” të paqtë, të fortë, rrezatues, të paepur. Dhe “dielli i drejtësisë”, fitimtar do të shndrisë përsëri brenda reve të zeza, për të ndriçuar dhe për të ngrohur zemrat tona. Me durim me zemër të gjerë le të ecim sidomos gjatë vitit të ri, që të kapërcejmë problemet e shumëllojta dhe kundërshtitë e paparashikuara”, thuhet në mesazhin e tij.(LajmeShqip.com)