Lajme Shqip Friday, 17 July 2015 21:31

Mëngjesi i hershëm i së premtes ka tubuar besimtarët myslimanë të shumë etnive në xhaminë e Penzbergut në Munchen.

Televizioni publik për rajonin e Bayernit, Bayerischen Rudfunk, në një hap historik ka transmetuar drejtpërdrejt ceremoninë e faljes së Bajramit.

Ligjëratën në gjermanisht e ka mbajtur imami shqiptar nga Maqedonia, Benjamin Idrizi. Ai u ka thënë të rinjve të pranishëm në xhami se e ardhmja e tyre është në Gjermani.

Besimtarët, kryesisht shqiptarë, kanë uruar njëri-tjetrin dhe pas faljes së namazit kanë pasur mundësinë të jenë pjesë e disa aktiviteteve edhe jashtë xhamisë.

Ata e kanë vlerësuar pozitivisht rëndësinë që televizioni publik gjerman i ka dhënë festës së tyre më të rëndësishme. Imami Idrizi është një prej figurave kryesore myslimane në Gjermani. Ai ka folur disa herë kundër pjesëmarrjes së myslimanëve të rinj në ISIS.

Bashkë me kancelarin Angela Merkel, Idrizi para disa muajsh i priu një marshi paqësor si anti-protestë ndaj protestave anti-islame të organizatës Pegida.

Rreth 4 milionë myslimanë jetojnë në shtetin më të rëndësishëm të Evropës.