Lajme Shqip Sunday, 20 January 2013 16:40

Tiranë – Ministria e Punëve të Jashtme është shprehur sot me anë të një deklarate për shtyp se ka ndjekur me shqetësim zhvillimet në Luginën e Preshevës. Ministria e Jashtme duke dënuar ashpër këtë akt i bën thirrje faktorit ndërkombëtar të reagojë menjëherë në mbrojtje të shqiptarëve në Preshevë.

“Lajmi i sotëm për heqjen e monumentit të dëshmorëve nga xhandarmëria serbe, në mënyre të njëanshme, dhe duke injoruar dialogun e nisur mes autoriteteve lokale dhe qëndrore nën kujdesin e faktorit ndërkombëtar është një tjetër dëshmi e një politike diskriminuese dhe agresive e autoriteteve të Beogradit kundrejt pakicës shqiptare në Serbinë e Jugut.

MPJ e dënon ashper këtë akt dhe i bën thirrje faktorit ndërkombëtar, të reagojë menjëhere në mbrojtje të të drejtave të pakicës shqiptare në Serbinë e Jugut. MPJ u bën dhe një herë thirrje autoriteteve lokale në Luginën e Preshevës dhe popullsisë atje të përmbahen kundrejt këtyre provokimeve në vazhdimësi, duke i mbështetur plotësisht ata në kauzën e tyre, se askush nuk do të mund të mohojë a tjetersoje luftën e drejtë për lirinë dhe të drejtat njerezore qe u bë ndaj regjimit antishqiptar serb”. (LajmeShqip.com)