Lajme Shqip Tuesday, 14 June 2011 14:37

Zagreb – Sekretari Shtetëror në MPJ të Maqedonisë, Abdulkadër Memedi, ka qëndruar gjatë të martës në Zagreb të Kroacisë, ku ka zhvilluar konsultime politike multilaterale, dhe ku marrin pjesë shtetet e rajonit, si Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Kroacia, Maqedonia, Sllovenia dhe Serbia.

Temat kryesore në të cilat është biseduar në konsultimet politike multilaterale në Zagreb, kanë qenë procesi i integrimeve euroatlantike në rajonin e Evropës Juglindore, pjesëmarrja e shteteve të rajonit në operacionet që janë nën udhëheqjen e NATO-s dhe BE-së si dhe roli i diplomacisë publike në shërbim të anëtarësimit në integrimet euro-atlantike.

“Sekretari shtetëror në MPJ, Memedi ka folur për angazhimin e Maqedonisë në misionet e ndryshme paqësore të cilat janë nën ombrellën e NATO-s dhe për angazhimin e Maqedonisë për anëtarësim në BE. Ai ka theksuar se duhet të zgjerohet bashkëpunimi rajonal duke përfshirë të gjitha shtetet e rajonit, ndër të tjerat edhe Kosovën, si shtet më i ri, i cili synon të bëhet pjesë e organizatave ndërkombëtare duke përfshirë NATO-n dhe BE-në”, thuhet në komunikatën e kabinetit të Memedit.

Memedi, gjithashtu, ka zhvilluar takim dypalësh me sekretarin shtetëror të MPJ të Kroacisë, Mario Nobilo me të cilin ka biseduar për situatën në Kroaci pas lejes së marrë nga Brukseli për anëtarësim në BE gjatë vitit 2013 dhe shkëmbimin e përvojës kroate për Maqedoninë.

Njëherësh nga pala kroate ka marrë mbështetje maksimale për përkrahjen e Maqedonisë nëpërmjet bashkëpunimit të ndërsjellë në të gjitha organizatat ndërkombëtare, veçanërisht në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.