Lajme Shqip Sunday, 04 August 2013 17:52

Tiranë – Ish-presidenti i Republikës, Rexhep Meidani, vlerëson kabinetin qeveritar të bërë publik pak ditë më parë nga Kryeministri i zgjedhur Edi Rama.
Sipas tij, në përbërjen e qeverisë së re janë ndërthurur energjia, përvoja, mosha e re, por edhe respektimi i barazisë gjinore. I pyetur për mungesën e emrave të njohur të qeverisjeve socialiste në kabinetin e ri, zoti Meidani shprehet se ata do t’i shërbejnë qeverisjes përmes Parlamentit, duke forcuar karakterin parlamentar të Republikës.
“Është herët për vlerësim, sidomos nisur dhe nga përvojat personale administrative të anëtarëve të kabinetit. Megjithatë, janë plotësuar disa kritere të nevojshme në ndërtimin e një ekipi qeverisës. Të tillë janë, p.sh., vlerësimi i energjisë dhe i dinamizmit individual; ndërthurja përvojë – jo përvojë dhe, në veçanti, promovimi i moshave të reja; shtrirja hapësinore dhe alternimi i përkatësive fetare; dhe, mbi të gjitha, respektimi i barazisë gjinore në përputhje me ligjin shqiptar. Por, për të qenë i sinqertë, në lidhje me numrin e zonjave në kabinet, unë, personalisht, prisja më shumë, të paktën për të më neutralizuar shijen e hidhur të mbetur nga kandidimi apo përfaqësimi i sotëm parlamentar, që nuk e kapërcen atë të legjislaturës së fundit. Po ashtu, edhe pse pozicioni i ministrit ka natyrë më tepër politikë se teknikë, në gjykimin tim, ndërthurja e drejtë e drejtimit politik me atë teknik (profesional) veçse e rrit cilësinë e qeverisjes, sidomos në periudhën e parë të çdo qeverisjeje… “, është shprehur Mejdani.
Për ishpresidentin e Republikës, Kryeministri i zgjedhur duhet të kishte pasur një konsultim paraprak me kreun e shtetit për emrat e disa ministrave që lidhen dhe me veprimtarinë e tij, siç janë Ministria e Jashtme, Ministria e Mbrojtjes apo Ministria e Drejtësisë, raporton Tema. 
“Por, kam edhe një vërejtje, që kërkon një trajtim më të plotë brenda një konceptimi adekuat kushtetues. Konkretisht, një shqetësim për mendimin tim është moskonsultimi paraprak i Presidentit të Republikës në ndërtimin e këtij kabineti, sidomos për dikastere që lidhen mjaft ngushtë me veprimtarinë e tij, si Ministria e Jashtme, Ministria e Mbrojtjes apo Ministria e Drejtësisë”, ka nënvizuar ai për gazetën “Panorama”.
Lidhur me mungesën e disa aleatëve të Partisë Socialiste në qeverinë e re, zoti Meidani shprehet se nëse do të ishte ai Kryeministër, do t’i konsideronte me përparësi disa politikanë me përvojë, kontribute të spikatura, apo me peshë individuale, si Gjinushi, Milo, Ngjela etj., veçanërisht për të ridimensionuar zërin e tyre, në mungesë të përfaqësimit përkatës në Kuvend.
“Kjo është një zgjedhje e z. Rama. Natyrisht, po të isha unë kandidati për Kryeministër, brenda një skeme kolegjiale, ndoshta do të veproja disi më ndryshe; dhe pa dyshim do të konsideroja me përparësi disa politikanë me përvojë, kontribute të spikatura apo peshë individuale, si Gjinushi, Milo, Ngjela etj., veçanërisht për të ridimensionuar zërin e tyre, në mungesë të përfaqësimit përkatës në Kuvend“, pohon ai.
Për sa i përket dorëheqjes së kryetarit të PD-së, Sali Berisha, Meidani shprehet se Berisha do të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm në politikë, veçanërisht në rrjetet sociale, duke e parë këtë prezencë me ndikim negativ për ndërtimin e autoritetit politik të zëvendësit të tij.