Lajme Shqip Tuesday, 12 February 2013 08:01

PRISHTINE - Kirurgu turk Kenan Demirkol ka refuzuar sot të japë video-konferencën për procesin gjyqësor që po zhvillohet në Prishtinë, në lidhje me skandalin e klinikës “Medikus”.

“Ligji turk refuzon dhënien e një dëshmie të tillë, për shkak se unë jam mjek”- është shprehur Demirkol.

Por prokurori i EULEX-it tha se doktori është i detyruar të japë dëshmi sipas një marrëveshje për bashkëpunim të ndërsjellë mes Kosovës dhe Turqisë në çështjet penale. Rasti fokusohet në akuzat që një grup njerëzish kanë bërë në lidhje me klinikën “Medikus” në Kosovë ku ata pretendojnë se të afërmve të tyre u janë kryer transplante të paligjshme organesh.

Ndërkohë mjeku kirurg Demirkol ndiqet penalisht edhe në Turqi për trafik oganesh dhe pritet një vendim për të.

“Doktor Somnez dhe Demirkol udhëtonin shpesh në Kosovë ku në Medikus kryenin transplante të paligjshme.” –shprehet prokurori i EULEX.

Në lidhje me këtë rast janë në ndjekje penale dhe shtatë shqiptarë, përfshi dhe pronarin e klinikës.

Sipas aktakuzës, dyshohet se janë kryer rreth 30 transplante të paligjshme në këtë klinikë. Njerëz të varfër nga Turqia, Rusia, Moldavia dhe Kazakistani shisnin veshkat e tyre kundrejt shumës 15 mijë euro.(LajmeShqip.com)