Lajme Shqip Wednesday, 22 June 2011 11:27

Prishtinë – Dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës duket se ka rënë në krizë. Kështu konstaton në një shkrim të sajin gazeta serbe “Veçernje Novosti”.

Kjo  është arsyeja që ende nuk është njoftuar data e zhvillimit të raundit të radhës së bisedimeve. Gazeta citon zëdhënësen e përfaqësueses së lartë Ketrin Eshton, Maja Koçijançiq të ketë thënë se “ende nuk dihet se kur do të takohen ekipet e Beogradit dhe Prishtinës”.

Ajo ka lënë të kuptohet se “një datë e takimit të radhës mund të caktohet vetëm nga fundi i këtij muaji”. Në Bruksel, shkruan gazeta, thonë se marrëveshjet e para kanë të bëjnë me kadastrën, librat amzë, por edhe me njohjen reciproke të dokumenteve.

“U takon të dyja palëve që të njoftojnë se për çfarë janë marrë vesh. Bashkimi Evropian është këtu vetëm për të lehtësuar dialogun”, ka theksuar zëdhënësja Koçiançiq, e cituar nga gazeta “Veçernje Novosti”.

Ndërkohë, si në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd po duket qartë se raundi i pestë i bisedimeve po vonohet në pritje të kësaj marrëveshjeje.

Duke iu referuar burimeve diplomatike në Bruksel, gazeta në fjalë mëson se të dyja palët kanë kërkuar më shumë kohë për të dhënë përgjigje në kërkesat e Bashkimit Evropian lidhur me gjetjen e marrëveshjeve.