Lajme Shqip Friday, 30 March 2012 15:39

Ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, Aleksandër Arvizu dhe Ministri i Drejtësisë,  Eduard Halimi, përuruan sot në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë instalimin e parë të sistemit të regjistrimit dixhital audio për gjykatat.

Me financimin e USAID-it si pjesë e Programit për Forcimin e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri (JuST) dhe në partneritet të ngushtë me qeverinë dhe gjyqësorin shqiptar, kjo shënon fillimin e zbatimit të një nisme të rëndësishme: instalimin e një teknologjie të re e të përparuar në gjykatat shqiptare e cila ndihmon që ato të jenë më të efektshme dhe më transparente.

USAID sjell në sallat e gjyqit një teknologji të fjalës së fundit, të provuar dhe të lehtë në përdorim në regjistrimin dixhital audio. Ajo garanton procesverbale të sakta fjalë për fjalë të seancave gjyqësore dhe u jep fund përplasjeve lidhur me atë që u tha apo jo në sallën e gjyqit.

Duke qenë se regjistrimet audio përfshihen si pjesë e dosjes së çështjes gjyqësore, ato mund të vihen në dispozicion të të gjithë të interesuarve, duke ndihmuar kështu në rritjen e aksesit të publikut në seancat gjyqësore.

Duke pasur parasysh krijimin e rekordeve të pandryshueshme audio, teknologjia e regjistrimit audio ndikon dhe në një sjellje me më shumë profesionalizëm dhe etikë në sallat e gjyqit.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë është e para që po zbaton teknologjinë e regjistrimit audio në Shqipëri.

Deri në dhjetor 2013 sistemi i regjistrimit audio do të jetë shtrirë në çdo sallë gjyqi në vend, duke përfshirë gjykatat e rretheve gjyqësore, ato të apelit, si dhe gjykatën e shkallës së parë dhe atë të apelit për krime të rënda.

Përveç instalimit të pajisjeve dhe programit kompjuterik, USAID, përmes projektit JuST, është i angazhuar në zhvillimin e një programi trajnimi gjithëpërfshirës për sekretarët gjyqësorë, gjyqtarët dhe specialistët IT të gjykatave.

USAID-i dhe partnerët shqiptarë janë gjithashtu të angazhuar të sigurojnë një praktikë të unifikuar për përdorimin e sistemit të regjistrimit audio në gjykata si dhe për aksesin e publikun në regjistrimet e realizuara.

USAID JuST, i filluar në tetor 2010, është një projekt pesëvjeçar i cili synon rritjen e transparencës, paanshmërisë dhe efektshmërisë në gjykata, konsolidimin e rolit mbikëqyrës dhe antikorrupsion të organizatave të shoqërisë civile dhe medias, si dhe forcimin e arsimimit juridik dhe avokatisë në Shqipëri.