Lajme Shqip Sunday, 13 November 2011 21:45

Një miratim i mundshëm i gjykatës së një kërkese që ka bërë pala mbrojtëse në “rastin Kleçka”, do ta detyronte prokurorin Maorizo Salustro që të “rrëfehej” për trajtimin e Agim Zogajt.

Italiani që ka udhëhequr hetimet dhe ka ngritur aktakuzë kundër dhjetë ish-pjesëtarëve të UÇK-së është propozuar të premten nga avokatët që të thirret në cilësinë e dëshmitarit dhe të përjashtohet nga procesi si prokuror. Shkas kanë marrë nga botimi i letrave në gazetën “Koha Ditore”, të shkruara nga dëshmitari “X”, në ditët e fundit të jetës së tij.

Në një letër që besohet të jetë e fundit e shkruar nga Zogaj pak ditë para se të bënte vetëvrasje në Gjermani pretendohet se prokurori Salustro ka marrë dëshmi nga ai me anë të presionit. Zogaj shkruante se ishte i bindur se EULEX-i e “ka masakruar psikikisht”.

“Këtë padi po e bëj me shkrim kundra prokurorit italian Mauricio dhe dy agjentëve të sigurimit për mbrojtjen e dëshmitarit, shefi Donalld dhe Hansi nga Gjermania… Zotëri prokuror, hetues. Ti më bëre jo krim, por masakër psikike në tërë fëmijët dhe gruan time. Por ti mua sun um blen kurrë për një milion euro të juaja dhe për burgun që ma falni për çka edhe kum bërë apo edhe për disa dëshmi që ti kum nënshkru pa mi përkthy fare…”, kishte shkruar Zogaj në një letër të ngjashme me qindra sosh të shkruara më herët. Këtë letër dhe të tjera të botuara në “Kohën Ditore” mbrojtja po kërkon që t’i përdorë si dëshmi shfajësuese për klientët e tyre. Këto letra i kanë kërkuar edhe nga prokurori italian, Maorizo Salustro. Por ai ka thënë se nuk i ka.

E vetmja gjë që ka ofruar prokurori ka qenë certifikata e vdekjes së dëshmitarit, të cilit në asnjë rast nuk ia ka përmendur emrin. “Dëshmitari ‘X’”, thoshte kur i referohej ish-komandant Murrizit.