Lajme Shqip Monday, 10 June 2013 14:06

Prishtinë – Komisioni për Legjislacion ka mbajtur mbledhjen e radhës ku është diskutuar për strukturat e sigurisë që veprojnë në veri. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka konfirmuar para Komisionit, se këto struktura do të jenë pjesë e institucioneve të Kosovës.

 “Për 800 pjesëtarë nuk ka vend, por rreth 150 pjesëtarë do të jenë pjesë e institucioneve të Kosovës. Prej 15 qershorit ata do të marrin vetëm një pagë. Qeveria e Serbisë do të marr një vendim transparent edhe sa i përket kësaj çështje”, theksoi ai.

Kuçi ka treguar se 15 korriku është data e fundit kur duhet të shpërbëhen të gjitha strukturat ilegale.

Ai ka sqaruar nuk do të ketë amnisti për kriminelë, por vetëm për ata që kanë punuar në administratë në Veri.

Ai ka marrë shembullin e një kryetari të një komune dhe të një vrasësi, duke thënë se vetëm kryetari i Komunës do të amnistohej.

“Kriminelët janë të gjithë njësoj si shqiptarë si serbë”, tha Kuçi.