Lajme Shqip Thursday, 11 April 2013 08:53

Mitrovicë – Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX, ka njoftuar se të martën, Departamenti për Mjekësi Ligjore dhe Njësia për Hetimin e Krimeve të Luftës e EULEX-it, me mbështetjen e Policisë së Kosovës, e kanë kryer një operacion në terren në varrezat myslimane, në pjesën veriore të Mitrovicës.

“Me këtë rast u gjetën mbetjet mortore të shtatë personave, që supozoheshin të zhdukur; ndërsa janë gjetur dhe dy pjesë të tjera skeletore”, thuhet në njoftimin e EULEX-it.

Sipas njoftimit, “viktimat janë zhvarrosur prej varreve të pashënuara, që shtriheshin në pjesën e sipërme dhe atë të poshtme të varrezave” dhe se “gjatë këtij operacioni, janë lokalizuar edhe katër varre të mundshme”.

Misioni EULEX thotë se “ky ishte rezultat i disa javëve të analizave të dokumenteve të ndryshme, që datonin nga konflikti i viteve 1998-1999”.

Departamenti për Mjekësi Ligjore (DML) i EULEX-it “beson se në këtë lokacion mund të ketë edhe më shumë varre të tjera të pashënuara dhe do të kërkojë urdhëresa të tjera nga prokuroria për më shumë zhvarrosje në të ardhmen”.

Deri tash, gjatë këtij viti, EULEX-i dhe DML –ja “kanë kryer 18 operacione në terren në Pejë, pjesën jugore të Mitrovicës , në pjesën veriore të Mitrovicës, në Suharekë, Prizren, Gjakovë, Klinë dhe Skenderaj. Shtatë nga këto kanë rezultuar me zhvarrosje, ku janë gjetur mbetjet mortore të 28 personave”, thuhet në fund të njoftimit nga misioni EULEX.(Rel/LajmeShqip.com)