Lajme Shqip Tuesday, 30 July 2013 17:21

Prishtinë – Për shkak të arrestimit të dy serbëve nga ana e EULEX-it, vazhdon të jetë e bllokuar magjistralja në Zveçan. Serbët të hënën rreth 15:00, pas arrestimit të dy bashkëkombësve të tyre, bllokuan rrugën me kamionë mallrash.
Besim Hoti zëdhënës i policisë së Kosovës, sqaron se rruga edhe sot vazhdon të jetë e bllokuar.
“Serbët kanë bllokuar dy anët e magjistrales në Rudare për shkak të arrestimeve që ka kryer EULEX”, thotë Hoti për Express.
Sipas tij përveç bllokimit, është raportuar se serbët në shenjë revolte, kanë sulmuar makinat e EULEX. “Dje kanë sulmuar dy makina me gurë, derisa edhe mbrëmë në orët e vona të natës 10 persona të maskuar kanë sulmuar edhe një makinë tjetër të EULEX që ishte në lëvizje”, sqaron Hoti.
Raportohet se pas sulmit dy pjesëtar të misionit evropian morë lëndime trupore. Krejt kjo ka ndodh pasi EULEX ka arrestuar dy serb të dyshuar për krime dhe Policia e Kosovës, atyre u ka caktuar masën e paraburgimit prej 48 orë.
Njëri prej të arrestuarve është Zharko Veselinoviq , vëllai i kontroversit, biznesmenit nga veriu Zvonko Veselinoviq. Ai u arrestua me pretekstin për një tentim vrasje në pjesën veriore të Kosovës, gjatë vitit 2012.
Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin kërkon sqarime rreth arrestimeve më të reja të serbëve në Kosovë dhe që të arrestuarit të procedohen sa më parë që të mbrohen në liri. “Nuk guxojmë të lejojmë që askush të na provokojë për dhunë. I ftoj serbët për qetësi”, i ka deklaruar Vulin RTS-së.
Ai ka shfaqur shqetësimin për arrestimet e djeshme. EULEX-i ka arrestuar dy serbë, njëri nga të cilët është vëllai i Zvonko Veselinoviqit. Sipas tij ky është arrestimi i katërt brenda 48 orëve.
“Nuk guxojmë të lejojmë që kushdo të na provokojë. I ftoj serbët në Kosovë për qetësi, meqë Prishtina ka dëshirë të madhe të mos zhvillohen zgjedhjet në veri”, deklaroi Vulin në ditarin e RTS-së.