|
|
e Hënë, 16 Korrik 2012 14:36 Tiranë – Komisioni i Ligjeve miratoi sot rezolutën për raportin vjetor për Komisionin Qendror Zgjedhor. Kjo rezolutë u miratua vetëm me votat e maxhorancës, pasi opozita refuzoi të jepte votën pro saj.
Në argumentim e tyre, socialistët nënvizuan se raporti ishte në kundërshtim me ligjin. Deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri, u shpreh se “raporti i KQZ-së ishte në kundërshtim me ligjin, ndërkohë që as kryetari i KQZ-së nuk erdhi të raportojë në komision”. Për më tepër, që sipas tij, askush nuk është dënuar për shkatërrim zgjedhjesh.
Duke reaguar ndaj këtyre pretendimeve, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, argumentoi se “rezoluta e KQZ synon një gjuhë të ekuilibruar”.
Ndërkohë në mbledhjen e radhës, Komisioni i Ligjeve do të shqyrtojë draftin për reformën zgjedhore, e arritur me konsensus mes palëve, ku përfshihet edhe riformatimi i KQZ-së.
Ekspertët janë mbledhur sot në ambientet e Kryesisë së Kuvendit për të zbardhur të gjitha ndryshimet, për t’i mbledhur në një dokument të vetëm dhe për t’ia paraqitur më pas komisionit. (LajmeShqip.com)