Lajme Shqip Friday, 26 April 2013 11:48

PRISHTINE – Hetuesit e EULEX-it kanë ngritur akuza kundër 17 serbëve të Gjakovës, për përfshirje të tyre në krime ndaj shqiptarëve në fshatin Mejë dhe rrethinë. Njoftimi është bërë dy ditë më parë, por mediat kosovare e kanë publikuar sot lajmin, ku thuhet se prokurorët e EULEX-it po hetojnë krimet e kryera më 27 dhe 28 prill të vitit 1999, në fshatrat Mejë, Orizë, dhe fshatra të tjera të Luginës së Rekës së Keqe.

Në këto akuza përfshihet edhe vrasja e 372 viktimave gjatë një sulmi të kryer kundër civileve shqiptarë, ndaj të cilëve është ushtruar dhunë, trajtim çnjerëzor, largim dhe zhvendosje, konfiskim i pasurisë dhe plaçkitje. Shumica e viktimave ishin zhvarrosur nga varreza masive në Batajnicë, Serbi.

Masakra e Mejës dhe e rrethinës besohet të jetë vrasja më e madhe masive që ndodhi gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë. Ndërkohë që sipas bashkëdrejtuesit të komunës së Gjakovës, Gjokica Stanojevic, këto akuza janë ngritur me qëllim frikësimin e serbëve.