Lajme Shqip Saturday, 29 June 2013 10:36

Prishtinë – Nëse Marrëveshja e arritur në prillin e vitit 2011 mes Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe Behgjet Pacollit do të zbatohej në tërësi, atëherë deri në fund të këtij muaji liderët e partive do të caktonin datën e zgjedhjeve parlamentare.

Përveç dështimit për të mbajtur zgjedhje të parakohshme nacionale, marrëveshja nuk është zbatuar as sa i përket reformave zgjedhore dhe atyre kushtetuese.

Gjithçka po vazhdon të mbetet në pikën zero.

Në këtë situatë, nënshkruesit e marrëveshjes po vazhdojnë të heshtin, ndërsa Presidentja Atifete Jahjaga nuk ka marrë ende asnjë nismë për t’i quar përpara reformat zgjedhore dhe kushtuese.

Mirëpo, Zenun Pajaziti deputet i PDK’së ka thënë se ende ka kohë për të zbatuar marrëveshjen dhe për t’i kryer reformat.

“Me rëndësi në këtë rast është se nuk ka ndonjë pengesë ekstreme në këtë proces. Të gjitha partitë pjesëmarrëse janë duke e mbështetur zbatimin e marrëveshjes”, ka thënë Pajaziti, për Express.

Sipas tij, edhe dialogu me Serbinë ka ndikuar që të mos ecin më tutje reformat e parapara me marrëveshjen e liderëve.

“Rrethanat e krijuara që kanë të bëjnë me procesin e dialogut me Serbin ka ndikuar që çështja e reformave të mos jetë në fokus”, ka thënë ai.

Pajaziti ka propozuar që Presidentja të thërras një takim të përbashkët me të gjithë udhëheqësit e partive politike për të quar përpara procesin e reformave.

“Presidentja duhet të kërkoj nga partitë politike t’i përfundojnë më shpejt punët”, ka thënë Pajaziti.

Ndërkohë, Nënkryetari i LDK’së, Haki Rugova thotë se PDK me qëllim ka shkelur afatet e zbatimit të marrëveshjes, ndërsa tash askush nuk po e gjen zgjidhjen.

”Marrëveshja nuk po respektohet nga të tjerët”, ka thënë Rugova.

Ky zyrtar i LDK’së thotë se pa reforma zgjedhore dhe kushtetuese të parapara në marrëveshjen e arritur mes liderëve nuk do të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike.

Sidoqoftë, Partia e Ramush Haradinajt ka braktisur të gjitha grupet punese sa i përket reformave zgjedhore dhe atyre kushtetuese me arsyetimin se gjithçka duhet të kthehet në Kuvendin e Kosovës.

Ndërsa disa parti politike duke përfshirë edhe AAK’së dhe Vetëvendosjen kanë dal kundër idesë për të shkuar në zgjedhje të drejtpërdrejta presidenciale, ashtu qysh janë marrë vesh PDK-LDK-AKR.

Vetëm LDK dhe Behgjet Pacolli kanë deklaruar se presidenti duhet të votohet nga populli në mënyrë që posti më i lartë shtetëror të mos mbetet peng i pazareve të koalicioneve qeveritare.