Lajme Shqip Wednesday, 01 June 2011 22:50

Prishtinë – Misioni Evropian në Kosovë njoftoi sot se Shefi i EULEX-it, Xavier de Marnhac, përfundoi vizitën e tij dyditore në Beograd, e cila është pjesë e një vargu takimesh të tij në rajon.
Ai u takua me shoqatat e familjeve të të pagjeturve, përfaqësuesit e shoqërisë civile, ambasadorët e BE-së dhe me Zv/kryeministrin Ivica Daçiq e ministrin Goran Bogdanoviq.
Gjatë takimeve të tij me ministrat u diskutuan çështjet teknike që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, në veçanti lidhur me veriun e Kosovës dhe me luftën kundër krimit të organizuar. Palët u pajtuan se duhet të bëhet më shumë në luftën kundër krimit të organizuar.
Shefi i Misionit theksoi se EULEX-i është një institucion i mbështetur nga 27 shtetet anëtare dhe se Catherine Ashton, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politika të Jashtme dhe të Sigurisë dhe Nënkryetare e Komisionit Evropian, si dhe Jose Manuel Barroso, Kryetar i Komisionit Evropian, i kanë dhënë EULEX-it përkrahjen e tyre të plotë gjatë vizitave të mëparshme të tyre në Kosovë.