Lajme Shqip Tuesday, 21 June 2011 10:41

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vijon paraditen e së martës numërimin e votave të kontestuara, sipas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, në njësinë bashkiake numër 6, për zgjedhjet vendore në Tiranë.

Pas numërimit të votave në njësitë nr. 4 dhe nr. 5, kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Lulzim Basha ruan avantazhin duke qenë me 82 vota para kandidatit të koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, Edi Rama.

Gjatë numërimit të kutive të njësisë bashkiake nr. 4, në kryeqytet, të dy kandidatët morën nga 53 vota secili, kurse gjatë numërimit të njësisë nr. 5 kandidati demokrat Basha mori 7 vota, ndërsa kandidati i majtë mori 3 vota.

Sipas vendimit të 13 qershorit të Kolegjit Zgjedhor, për procesin zgjedhor në Tiranë do të hapen dhe numërohen fletët e kontestuara në 1793 kuti. Numërimi nisi të shtunën pasdite (18 qershor) me hapjen e kutive të njësisë bashkiake nr. 1, për të vijuar sipas rendit rritës me kutitë e KZAZ-ve të tjera, nr. 2, 3, 4 dhe 5.

Sipas aktit të miratuar nga KQZ, numërimi i votave të hedhura në kutinë e gabuar bëhet nga 8 grupe numërimi, në tryeza të posaçme të vendosura në sallën e mbledhjeve të KQZ-së dhe në prani të vëzhguesve të forcave politike dhe të anëtarëve të Komisionit.