Lajme Shqip Monday, 09 September 2013 17:18

Shkup – Qeveria e Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit, sipas “Dnevnik”, është duke menduar që ta aplikojë regjimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.
“Kjo rrjedh e ngjarjeve në “luftën tregtare” u bë e mundur pasi që Prishtina vendosi embargo mbi importin e të gjitha prodhimeve të Maqedonisë, gjë që ndikoi që nga kufiri të kthehen mbrapsht shumë maune me mallra të Maqedonisë që destinacion e kishin Kosovën, transmeton Almakos.
Komisioni Evropian, ndërkohë, u kërkoi palëve të përfshira në këtë konflikt, t’i përmbahen marrëveshjes së CEFTA – s.
Sot u raportua se Shkupi pritet që t`i ofrojë një propozim Prishtinës që të heq ndalesën për importin e miellit të Kosovës dhe heqjen e taksës për qytetarët e Kosovës nga data 15 shtator.
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Mimoza Kusari-Lila ka thënë se Qeveria e Maqedonisë është duke devijuar kontestin ekonomik me atë politikë.
“Për ne kjo çështje nuk ka qenë dashtë të devijojë prej kontestit ekonomik në ndalimin apo pengimin e lëvizjes së lirë të njerëzve. Ne insistojmë që kjo të jetë në kuadër të raporteve tregtare dhe si të tillë duhet të trajtohet. Mirëpo, prekja e drejtpërdrejtë e qytetarëve të Republikës së Kosovës për ne është e papranueshme dhe në kundërshtim të plotë me vlerat e fqinjësisë së mirë dhe vlerat evropiane”, ka thënë Kusari-Lila.
Ajo ka vlerësuar se ky problem duhet të trajtohet me shumë kujdes në një të ardhme dhe sipas saj, interesi i Maqedonisë ndaj Kosovës në aspektin ekonomik është shumë më i madh se sa ai i Kosovës ndaj Maqedonisë në raportet e tanishme tregtare. Kusari – Lila gjithashtu ka paralajmëruar se nuk do të lejojnë që asnjë vend të shkel një anshëm marrëveshjen e CEFTA-s. “Vendimet e tilla nuk i dëshirojmë, por nganjëherë janë të domosdoshme për shkak se ne nuk mund të jemi në vazhdimësi ata që duhet të mbajmë me korrektësi zbatimin e CEFTA-s dhe të tjerët ta shkelin në vazhdimësi”, ka thënë ajo.
Problemet u shfaqën pasi që Prishtina zyrtare dy ditë më parë aplikoi masën e ndalesës për një pjesë të prodhimeve të Maqedonisë, duke qenë si kundërpërgjigje ndaj ndalesës së palës maqedonase për importin e prodhimeve të miellit nga vendet fqinje, duke përfshirë edhe Kosovën. Autoritetet e Kosovës nuk hoqën embargon edhe pas kërkesave të palës së Shkupit, derisa këta të fundit prej dje nisën aplikimin e taksës hyrëse për të gjithë shtetasit e Kosovës, 2 euro për çdo udhëtarë, 5 euro për makinat dhe 20 euro për kamionët dhe autobusët.