Lajme Shqip Friday, 17 May 2013 22:25

Shkup – Me 1 qershor, në Ohër do të mbahet Samiti për bashkëpunim rajonal në të cilin do të marrin pjesë 16 kryesues të shteteve dhe qeverive të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Bashkpunimit në Evropën Juglindore (PBEJ), ku nikoqir i të gjithë këtyre do të jetë Gjeorgje Ivanov, presidenti i Maqedonisë.

Sa I përket ftesës për pjesëmarrje të presidents së Kosovës, Atifete Jahjaga apo kryeministrit, Hashim Thaçi në këtë samit, nuk ka asnjë konfirmim nga kabineti I presidentit Ivanov. Edhepse, më herët mediet raportonin se në këtë samit është e ftuar edhe Kosova. Ndërsa, është konfirmuar prania e presidentit serb, Tomislav Nikoliq dhe kryetarit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, diplomatit serb, Vuk Jeremiq.

Pikat e rendit të ditës, në këtë samit, do të jenë temat për bashkëpunim rajonal dhe dialog për partneritet dhe fqinjësi të mirë në Evropën Juglindore, por edhe temat mbi zvogëlimin e rreziqeve nga katastrofat si dhe adaptimi ndaj ndryshimeve klimatike.
Deri tani pjesëmarrjen e kanë konfirmuar presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, presidenti i Bullgarisë Rosen Plevneliev, presidenti kroat Ivo Josipoviq, Presidenti rumun Trajan Basesku, presidenti serb Tomislav Nikoliq, presidenti slloven Borut Pahor, presidenti i këshillit të Bosnjë- Hercegovinë Nebojsha Radmanoviq si dhe ministri i jashtëm turq, Ahmet Davutoglu. Në kuadër të këtij samiti janë ftuar edhe përfaqësues të tjerë të lartë të OKB-së, Bashkimit Evropian, etj. 
Ndërkohë, mospraninë në këtë samit deri tani e ka paralajmëruar presidenti grek, Karolos Papulias.