Lajme Shqip Monday, 27 June 2011 16:34

Shkup – Qyteti i Shkupit ka filluar me projektin për rikonstruktimin e trotuareve nëpër territorin e Komunës Qendër. Kryetari i Qytetit të Shkupit, Koçe Trajanovski të hënën edhe zyrtarisht ka shënuar fillimin e punimeve në bulevardin “Goçe Dellçev” deri te Hoteli Holidej. Bëhet fjalë për trotuarin përball fakulteteve të disperzuara të Universitetit Shtetërorë të Tetovës në Shkup (USHT), duke asfaltuar kështu hapsirën të cilën është paraparë të jetë pjesë e projektit të madh sheshi “Skënderbeu”.

“Dhashtë Zoti të fillojë e të ndërtohet ‘Sheshi Skënderbeu’. Nuk është problemi te trotuaret, sepse për ‘sheshin Skënderbeu’, duhet të realizohet projekt, duhet konstruksion financiar, e deri atëherë njerëzit duhet të ecin, ndërsa ajo është në një pjesë, dhe edhe nëse vendosen trotuaret shumë lehtë mund të hiqen”, ka thënë Trajanovski.

Rami Qerimi, nga sektori i urbanizmit të Komunës Çair, ka thënë se po punohet intensivisht rreth projektit kryesor të sheshit Skënderbeu.

“Janë duke u bërë matjet gjeo-mekanike të truallit dhe pjesëve tjera. I kemi marrë të gjitha të dhënat mbi situatën nëntokësore mbi ujësjellësin, kanalizimin, etj. Presim shumë shpejtë që projekti kryesor të jetë i gatshëm, përndryshe në anën tjetër është duke u bërë edhe plani urban detalistik, i cili është në përfundim e sipër, e kemi edhe projektin urbanistik për Çarshinë e Vjetër. Punët ndërtimore do të fillojnë pasi të kryhet projekti kryesor, pa projekt kryesor ne nuk mund të fillojmë me punime ndërtimore, ndërsa vet fakti se kemi filluar me matjet nënkupton se punët veç më kanë filluar”, ka thënë Qerimi.

Qyteti i Shkupit, për rikonstruktimin e bulevardeve do të harxhojë 600 mijë euro, ndërsa parashihet edhe zgjerimi i bulevardit “Kliment Ohridski”, ku do të ndërtohen trotuaret.