Lajme Shqip Sunday, 26 June 2011 13:28

Shkup – Nisma për organizatën “Aleanca Kuq e Zi” nga Shqipëria është promovuar edhe në Shkup. “Një nga proceset të cilat ne i kemi debatuar ka qenë procesi i regjistrimit të popullsisë. Procesi i regjistrimit të popullsisë i gjeti të papërgatitur shqiptarët në Shqipëri, shqiptarët në Mal të Zi, shqiptarët në Kosovë dhe kjo do të jetë një çështje e diskutueshme edhe në Maqedoni. Shqiptarët në Shqipëri rrezikojnë pjesërisht asimilimin e tyre, në jugun e Shqipërisë. Shqiptarët e Kosovës pjesërisht humbasin vlerat e identitetit të tyre dhe në mënyrë aritmetike të rrezikojnë balancat, të cilat padrejtësisht dhe në mënyrë artificiale mundë të kërcënohen nga një regjistrim popullsie mbi baza etnike dhe fetare krejtësisht të padrejta”, ka thënë Kreshnik Spahiu, kryetar i nismës “Aleanca Kuq e Zi”.

“Nisma e ‘Aleancës Kuq e Zi’ për mua është një alternativë që ngjallë shpresë se diçka duhet të lëvizë, duhet të ndodhë edhe tek ne. Aleanca shpresoj se mund të jetë një faqe e re, mund të jetë një rrugë e re, një alarm i ri që duhet ta dëgjojnë të gjithë, ta kenë parasysh në mos ta përkrahin haptazi të gjithë të tjerët në këtë hapësirë”, ka thënë Ali Aliu, akademik.

Para se të vinte në Shkup, “Aleanca Kuq e Zi” ka mbajtur takime dhe tribuna në të gjitha qytete e Shqipërisë, ku mijëra qytetarë kanë shprehur vullnetin e tyre nëpërmjet nënshkrimit të peticionit kundër procesit të regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare. Ndërkohë, shumë qytetarë të tjerë janë bërë pjesë e “Aleancës Kuq e Zi” duke u anëtarësuar pranë saj për të vijuar nismën e ndërmarrë kundër ligjit në fjalë.

“Aleanca Kuq e Zi” aktivitetet e saj i ka shtrirë në të gjitha trevat shqiptare. Gjithashtu, programi i tyre është prezantuar edhe para shqiptarëve në diasporë si, në Romë, Londër e Nju Jork. Më 10 qershor kjo Aleancë mbajti një takim madhështorë në Prizren, ku edhe shpalosi programin e saj, i cili ka elemente mbarëkombëtarë.

Me ardhjen në Shkup kjo Aleancë, aktivitetin e saj do ta shtrijë edhe në trevat e këtushme shqiptare.